Shkarkohet pa shkresë drejtori i burgut të Drenovës. Burime bëjnë me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkarkuar drejtorin Fatjon Fasho. Nga komunikimi telefonik që është kryer me drejtorin e burgut mësohet se asgjë nuk është bërë me dokument zyrtar, madje lajmin e ka mësuar nga portalet.
“Asnjë njoftin apo shkresë nuk ka mbërritur në institucionin e vuajtjes së dënimit që unë drejtoj”, ka thënë ai.
Medohet se drejtori i ri është emëruar Lorent Nake.
Ndërkaq, Artan Koçibelli zëvendëson Sokol Kacoli si shef policie.
Shkarkimet vijnë vetëm pak ditë pas aksionit të kryer në burgun e Drenovës, ku u gjetën katër telefona celularë, të llojit iPhone. Kujtojmë se javën e kaluar gjatë një kontrolli të ushtruar në burgun e Drenovës u kap me telefon celular Laert Haxhiun, një prej të dënuarve për krime të rënda, i njohur për përfshirjen në “Masakrën e Lushnjës”.
Kontrolli u krye pas një informacioni të siguruar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion (SHKB), i cili sinjalizoi për praninë e një pajisjeje të paligjshme në qelinë e Haxhiut.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi Haxhiun me burgim të përjetshëm më 24 prill 2024 për “vrasje me paramendim”, “vrasje në rrethana cilësuese”, “gruppe kriminale”, dhe “armëmbajtje pa leje”.
Haxhiu u përfshi në atentatin ku u vranë dy persona (Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha), ndërsa u plagosën të tjerë, duke tentuar të vrisnin Xhulio Shkurtin, nipin e liderit të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
