Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar emrat e ministrave të rinj të emëruar nga kryeministri në Asamblenë e Partisë Socialiste, të cilët i ka konsideruar si një vazhdimësi e frymës autokratike të Ramës, të cilët luajnë rolin e kukullave.
I ftuar në emisionin Kjo Javë në News24, Lubonja theksoi se vendimet merren në prapaskenë, ndërsa pushteti kontrollohet nga një lidhje e ngushtë mes qeverisë, oligarkëve dhe krimit të organizuar.
“Ishte një qeveri e vazhdimësisë, e të njëjtës frymë. Me vazhdimësi kuptojmë rritjen e frymës autokratike të Edi Ramës, ku ministrat gjithmonë e më shumë kanë rolin e kukullave në skenë, ndërkohë që fijet e vendimeve merren në prapaskenë”, tha ai.
Ndër të tjera, ai u ndal te emërimi i një gruaje për herë të parë në krye të ministrisë së Brendshme, të cilën e cilësoi si fasadë për të mbuluar atë që bëjnë shefat e policisë me krimin e organizuar.
Lubonja nuk kurseu as ironitë për ministren e emëruar, Albana Koçiu, për të cilën u shpreh se ajo do merret me adresat, pasi drejtuesit e policisë kanë tjetër qasje, të mbajnë në jetë regjimin.
“Ishte një qeveri e vazhdimësisë, e të njëjtës frymë. Me vazhdimësi kuptojmë rritjen e frymës autokratike të Edi Ramës, ku ministrat gjithmonë e më shumë kanë rolin e kukullave në skenë, ndërkohë që fijet e vendimeve merren në prapaskenë. Edhe oligarkët që dikur ishin me Berishën, sot janë me Ramën.
Mediat e oligarkisë janë në kontroll të Edi Ramës. Krimi i organizuar mban sot ekonominë shqiptare. Pjesa e katërt që i jep legjitimitet Ramës është mbështetja ndërkombëtare. Ministrat janë kukullat që vendosen për të mbuluar këtë që ndodh në prapaskenë…
Albana Koçiu mund të jetë vendosur si një grua që nuk ka lidhje me këta. Por kjo s’do të thotë se ajo do të ketë fuqi të vendosë mbi drejtorin e policisë.
I shkon më së shumti titulli kukull për fasadë për të mbuluar atë që bëjnë shefat e policisë me krimin e organizuar.
Që të mos ketë punë me policinë e shtetit se ato kanë punë të tjera se mbajnë në jetë regjimin, Albana do të merret me adresat. Puna më e rëndësishme e policisë është të ndjekë krimin”, tha Lubonja.