Tatimet i sekuestrojnë “McLaren”-in djalit të pronarit të Birra Korçës, Hysenbelliut

Administrata Tatimore njoftoi sekuestrimin e 8 automjeteve të një tatimpaguesi në Tiranë për borxhe të papaguara ndaj administratës. Sipas Tatimeve, mes automjeteve të sekuestruara kishte dhe marka luksoze si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.

Tatimet nuk e bënë publik emrin e tatimpaguesit, mësohet se ato ishin në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu dhe djalit të tij, Fatmir Hysenbelliu.

Sipas njoftimit, sekuestrimet u bënë pasi këto subjekte kanë 6.4 milionë euro detyrime të papaguara taksash. Ky aksion është goditja më e fundit që administrata tatimore dhe agjencitë e tjera në varësi të qeverisë, kanë ndërmarrë ndaj pronarit të News 24, Irfan Hysenbelliu.

Njoftimi i plotë i Tatimeve

Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore pas datës 31.12.2024, të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.

Në kuadër të këtyre masave, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore kanë kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në sekuestrimin e aseteve të debitorëve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.

I tillë është rasti i një tatimpaguesi në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën 6.4 milionë euro, të cilit i janë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes tyre McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW. Administrata Tatimore do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore.