‘Hapur deri në 17:30’/ Bizneset e Korçës mbyllin dyert: “Shihemi në protestë!”

Një numër biznesesh në Korçë pritet të mbyllin aktivitetin e tyre më herët gjatë ditës së sotme për t’iu bashkuar protestës qytetare të paralajmëruar në qytet. Në hyrje të lokaleve dhe dyqaneve janë vendosur njoftime ku shkruhet:

“Hapur deri në 17:30, shihemi në protestë”, duke shprehur hapur mbështetjen për tubimin dhe pakënaqësitë e tyre ndaj situatës ekonomike.

Përfaqësues të biznesit shprehen se taksat e larta, rritja e kostove të operimit dhe ulja e fuqisë blerëse kanë vënë shumë sipërmarrje përballë vështirësive serioze financiare. Sipas tyre, protesta është një mënyrë për të ngritur zërin dhe për të kërkuar më shumë vëmendje ndaj problemeve që po përballen çdo ditë.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbash biznesin hapur. Shpenzimet rriten, ndërsa fitimet bien. Kjo protestë është një thirrje që institucionet të dëgjojnë shqetësimet tona”, shprehen disa prej tyre.

Protesta pritet të zhvillohet në qendër të Korçës, ku qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të biznesit do të mblidhen për të shprehur kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën ekonomike dhe sociale në vend.

Me mbylljen simbolike të dyerve të bizneseve dhe pjesëmarrjen në protestë, sipërmarrësit korçarë synojnë të japin një mesazh të qartë se sfidat me të cilat po përballen kërkojnë zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme.