Makinat bëhen copë në aksin Korçë–Pogradec, dy persona përfundojnë në spital

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Pogradec–Korçë, në zonën e Qafë Plloçës, ku përplasja mes dy automjeteve ka lënë të plagosur dy persona, mes tyre edhe një fëmijë. Sipas informacioneve paraprake, dy mjetet janë përplasur me njëri-tjetrin për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura.

Si pasojë e aksidentit, është plagosur drejtuesi i njërit prej automjeteve, si dhe një fëmijë që udhëtonte me të.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Pogradecit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e shkaqeve që çuan në përplasjen e mjeteve.