Ashtu sikurse dhe njoftoi mëngjesin e kësaj të shtune, deputetja e cila tashmë është e pavarur, Marjana Koçeku, i është bashkuar protestuesve në ditën e 49-të të protestës së tyre. Shkurtimisht për Euronews Albania, Koçeku ka deklaruar se e ka mbështetur që prej fillimit këtë protestë të qytetarëve dhe do të vijojë të qëndrojë krah tyre.
“E mbështes dhe do vazhdoj ta mbështes deri në fund”, kështu ka deklaruar deputetja, e cila disa javë më parë vendosi që të dilte nga familja e socialistëve dhe të vazhdonte rrugëtimi ne saj në Kuvend si e pavarur.
Gjatë kësaj interviste të shkurtër gazetarja iu drejtua duke e pyetur lidhur me mesazhet që qytetarë të shumtë i thanë sot në Bulevard, teksa i afroheshin dhe e përqafonin. Në përgjigje të saj, Koçeku bëri me dije se teksa përshkonte mbrëmjen e sotme Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestues të shumtë i shprehën mirënjohje dhe e falënderuan.
“Ishte shprehi mirënjohje dhe falënderime nga ana e tyre, të cilët i falenderoj sepse më motivojnë”, tha Koçeku, ndërkohë që bëri me dije se në protestën e 23 korrikut, e cila është lajmëruar të mbahet paraditen jashtë ambienteve të Kuvendit, pasi përkon me seancën e fundit plenare, deputetja tha se do të jetë në mbështetje të qytetarëve.
“Unë do të mbështes protestën, është e drejta e tyre dhe parlamenti është institucioni që i përket qytetarëve dhe kanë mbështetjen time të plotë”, u shpreh ajo ndër të tjera.
