Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Zvërnecit, në afërsi të Porto Novës, ku ka humbur jetën në moshën 40-vjeçare gazetari i News24, Enrik Mehmeti. Sipas informacioneve paraprake, Mehmeti ishte duke lëvizur me një motor me katër rrota (ATV), kur, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar plotësisht, dyshohet se humbi kontrollin e mjetit.
Si pasojë, motori u përmbys dhe u rrokullis disa herë.
Mesohet se gjatë aksidentit, gazetari ka pësuar dëmtime të rënda në kraharor dhe organet jetësore, pasi është goditur nga pjesë të mjetit.
Menjëherë pas ngjarjes, 40-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Enrik Mehmeti ishte gazetar i News24 dhe prej vitesh raportonte ngjarjet nga qarku i Vlorës.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Ngushëllime familjes, të afërmve dhe kolegëve të Enrik Mehmetit për këtë humbje të parakohshme.


