“Dimali nuk shkrihet”/ Kryebashkiakja del kundër:” Duhet të mbetemi bashki më vete

Kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, ka reaguar përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale kundër propozimeve për riorganizimin e ri territorial, duke argumentuar se kjo bashki duhet të mbetet një njësi vendore më vete.

Memaj e ka bazuar qëndrimin e saj te historia, identiteti dhe potenciali ekonomik i zonës, duke sjellë në vëmendje se Dimali ka ekzistuar që prej shekullit të V para erës sonë dhe se territori ka pasur ndër vite një rol të rëndësishëm ekonomik e strategjik.

Sipas saj, reforma territoriale e vitit 2015 krijoi një komunitet të lidhur nga historia, tradita dhe ekonomia lokale, ndërsa ndryshimi i emrit të bashkisë në Dimal ishte rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me qytetarët. Ky proces vërtetoi edhe njëherë se vullneti i këtij komuniteti të dalë nga reforma e vitit 2015 është të qëndrojnë bashkë si një njësi e tërë, se ata janë të lidhur nga historia, tradita dhe potenciali ekonomik”, shkruan Memaj.

Sipas Memajt, Bashkia Dimal ka arritur të gjenerojë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe këto janë rikthyer në investime dhe shërbime për qytetarët.

“Një njësi vendore që arriti të gjenerojë 5 herë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe duke bërë të mundur që këto të ardhura t’i rikthehen qytetarit, në investime kapitale dhe shërbime, pse duhet të shkrihet?”

Një organizëm administrativ është një qenie e gjallë, prandaj mendoj se çdo ndryshim duhet të jetë i mirë menduar, i argumentuar në bazë kriteresh të gjithëpranuara dhe të dalë nga një proces gjithëpërfshirës e transparent”, shkruan kryetarja e Bashkisë Dimal. Përfundimisht, Dimali duhet të vijojë të jetë njësi vendore më vete”, përfundon Juliana Memaj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.