Fluks i lartë në Qafë Thanë dhe Kapshticë, mijëra emigrantë e turistë hyjnë në Shqipëri

Sezoni turistik dhe kthimi i emigrantëve kanë sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në pikat kufitare të juglindjes së vendit. Gjatë 24 orëve të fundit, Qafë Thana dhe Kapshtica kanë përballuar një fluks të lartë udhëtarësh dhe automjetesh, me hyrjet në Shqipëri që kanë qenë dukshëm më të shumta se daljet.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës janë përpunuar 7.621 shtetas në hyrje dhe 4.935 në dalje. Po gjatë kësaj periudhe kanë kaluar kufirin 2.454 automjete që hynë në vend dhe 1.973 që dolën. Për të garantuar një kalim sa më të shpejtë, sportelet kanë funksionuar sipas ngarkesës së krijuar nga fluksi i udhëtarëve.

Edhe në Kapshticë është regjistruar një numër i konsiderueshëm lëvizjesh. Brenda 24 orëve kanë hyrë në territorin shqiptar 5.869 shtetas, ndërsa 4.017 persona kanë dalë nga vendi. Ndërkohë, autoritetet kufitare kanë përpunuar 1.752 automjete në hyrje dhe 1.252 automjete në dalje.

Sipas autoriteteve, rritja e fluksit është tipike për këtë periudhë të vitit, kur shumë emigrantë kthehen në Shqipëri për pushimet verore, ndërsa vendi mirëpret edhe një numër të madh turistësh. Strukturat kufitare mbeten të angazhuara për të menaxhuar lëvizjet intensive, të cilat pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.