Propozimi i mazhorancës për reformën territoriale vijon të shkaktojë protesta në bashkitë që do të zhbëhen, ku mbrëmjen e së premtes qytetarët e Fushë-Arrëzit, administrata e bashkisë dhe deputetë të shumtë protestuan kundër shkrirjes së këtij institucioni me Bashkinë Pukë.
Protestës iu bashkuan dhe bashkëkryetari i komisionit për reformën territoriale nga opozita Luçiano Boçi, deputeti Gjin Gjoni dhe kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Hil Curri, i cili hodhi akuza të forta ndaj Arbajn Maznikut. Propozimi i PS-së për reformën territoriale ka shkaktuar pakënaqësi edhe te vetë socialistët, ku ish-kandidati për deputet Pavlin Luli iu bashkua kauzës së qytetarëve kundër zhbërjes së bashkisë Fushë-Arrëz.
Luli deklaroi se, sipas tij, drejtuesit e lartë i kërkonin të firmoste dokumente, duke pretenduar se kjo mund ta çonte deri në burg.
“Unë nuk jam i korruptuar dhe nuk isha aty për të vjedhur”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk është më në linjë me interesat e atyre që, sipas tij, synojnë “të shesin Shqipërinë dhe ta copëtojnë atë”.
Edhe banorët e kanë kundërshtuar me ngulm këtë nismë, duke argumentuar se shkrirja e institucioneve vendore do të sjellë përkeqësim të marrjes së shërbimeve. Banoret e Fushë-Arrezit nisën nënshkrimin e një peticioni kundër draftit teksa paralajmëruan përshkallëzimin e protestave.
