Pogradec/ Stuhi e papritur, qyteti përmbytet brenda pak minutash

Moti i keq ka përfshirë pasditen e kësaj të premte qytetin e Pogradecit, duke sjellë një ndryshim të shpejtë nga i nxehti i madh që ka shoqëruar vendin tonë gjatë javëve të fundit. Ajo që nisi si një vranësirë dhe stuhi e papritur, është shndërruar shpejt në përmbytje në disa prej rrugëve kryesore të qytetit.

Pamjet tregojnë qytetarë dhe këmbësorë të detyruar të heqin këpucët për të kaluar përmes ujit, ndërsa disa të tjerë përpiqen të lëvizin me biçikleta përmes rrugëve të bllokuara nga uji.

Gjithashtu vetëm pak kohë pas inaugurimit të ndërhyrjeve në lagjen “Naim Frashëri” në Pogradec, reshjet e shiut kanë nxjerrë në pah problematikat me sistemin e kullimit.  Pusetat u bllokuan, ndërsa uji vërshoi në rrugë duke krijuar një “lum” në mes të lagjes muze.