Ahmataj pas barazimit me Vllazninë: “Mund të kishim surprizuar, por ky është futbolli!”

Skënderbeu merr një pikë mes spektaklit në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë në javën e parë të Superiores! Trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj, analizon barazimin 2-2, vështirësitë me organikën e cunguar, ndryshimin e skemës dhe besimin te djemtë e rinj!

Profesor Ahmataj, një barazim 2-2 në një transferta shumë të vështirë si Shkodra. Sa i kënaqur jeni me performancën e ekipit?

Të gjithë lojtarët që janë në dispozicion meritojnë të marrin atë që u takon. Në këtë ndeshje u takonte këtyre lojtarëve të kontribuonin. Ne kemi organikë tjetër më të plotë, por për efekte që dihen, ishim pak të cunguar në ndërtimin e formacionit. Fituesit gjithmonë rrinë në fushë, po të kishim fituar do luaja me këta edhe në vazhdim! (qesh)”

Si arritët ta menaxhonit ndeshjen me lojtarë që kishin vetëm pak ditë që i kishit në dispozicion?

“Ne duhet të ishim të rezervuar në shpenzimin e energjive. Këta lojtarë kanë ardhur para 3 ditësh në skuadër dhe jemi përgatitur me kaq pak kohë. Por cilësia e tyre është e mirë, si Bismark apo Nasr. Bëmë një ndryshim në taktikë pasi lojtarët e kishin fituar besimin gjatë ndeshjes.”

Pse e ndryshuat skemën gjatë lojës dhe a do ta bënit sërish këtë lëvizje?

Do ta bëja sërish, pasi do të provonim shanset tona! U bë e detyruar dhe e përshpejtuar edhe për efekt të rezultatit, pasi nuk e meritonim atë disavantazh, kishim raste të pastra shënimi. Duhet të shkarkonim të gjithë energjitë, mund të kishim surprizuar, por ky është futbolli. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës!”

Si e vlerësoni paraqitjen e lojtarëve të rinj që morën minuta në këtë përballje?

Patjetër që Grazhdani dhe Nasto janë të konfirmuar, por edhe lojtarët që e kanë nxjerrë Skënderbeun U19 kampion. Kishim siguri në këtë aspekt, por u duhet më shumë eksperiencë për të performuar në nivel më të lartë. Kanë potencial shumë të lartë!”