Rama mbledh rilindasit në Pogradec por Tirana sot protesta e 85-te rresht

Sot shënohet dita e 85-të e revoltës qytetare, ku qytetarë të shumtë janë grumbulluar sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik në vend.

Nisja e grumbullimit u bë në sheshin “Skënderbej”, nga ku turma e protestuesve nisi marshimin përgjatë bulevardit drejt godinës së Kryeministrisë. Me mbërritjen përpara selisë së ekzekutivit kanë nisur edhe fjalimet e qytetarëve, të cilët po ngrenë zërin për shqetësimet kryesore dhe pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të qeverisë.

Protestuesit theksojnë se kërkesa e tyre kryesore dhe e panegociueshme mbetet largimi i menjëhershëm i Edi Ramës nga detyra. Platforma e tyre përfshin krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor për të përgatitur vendin për zgjedhjet e ardhshme, si dhe shfuqizimin e disa nismave ligjore që konsiderohen si të dëmshme e në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarë.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë të ditur se nuk do të ketë tërheqje dhe se protesta do të vijojë ditë pas dite deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.