Roli që bëri bujë dhe largimi nga ekrani/ Ema Andrea kujton Rezana Çelikun: “Ishte një grua me dritë”

Aktorja Ema Andrea ka kujtuar me emocion artisten Rezana Çeliku, e cila u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare. Dy aktoret ishin njohur që në vitin 1990, gjatë xhirimeve të filmit “Një vajzë dhe një djalë”. Andrea e përshkruan Çelikun si një figurë të veçantë, me energji dhe profesionalizëm, që linte gjurmë kudo që shfaqej.

“Kur Rezi vinte, gjërat lëviznin, merrnin një lloj drite. Në atë kohë e vëzhgoja dhe kam mësuar shumë prej saj”, kujton ajo.

Roli i saj në filmin “Një vajzë dhe një djalë”, ku personazhi kishte një marrëdhënie me një djalë më të ri, shkaktoi diskutime në atë kohë dhe do të ishte edhe roli i fundit i Çelikut në kinema.

Sipas Ema Andreas, paragjykimet e kohës, por edhe ndryshimet që pësoi kinemaja pas viteve ’90, mund të kenë ndikuar në largimin e saj nga ekrani.

Pas aktrimit, Çeliku vijoi një tjetër rrugë profesionale, duke punuar si mësuese dhe më pas në administratën publike, në Bashkinë e Tiranës.

“Kur e takoja në institucionet ku ajo punonte, ishte e njëjta Rez, me dritë, me jetë, me dashuri dhe përkushtim”, shprehet Andrea, duke e kujtuar si një grua që la gjurmë si në art, ashtu edhe te njerëzit që e njohën.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.