Dëmtohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë/ Banorët: “Krim ndaj traditës dhe historisë

Kisha e Shën Thanasit në fshatin Sinicë të Korçës është dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar, në një akt vandalizmi që ka shkaktuar shqetësim te banorët dhe dashamirësit e zonës.

Sipas denoncimeve të banorëve, autorët kanë hyrë në ambientet e kishës dhe kanë dëmtuar ikona dhe objekte të shenjta. Po ashtu, në pjesë të ambienteve të brendshme është hedhur edhe çimento, duke shkaktuar dëmtime në objektin e kultit.

Kisha ndodhet rreth 1,300 metra mbi nivelin e detit dhe ndër vite është mirëmbajtur kryesisht falë kujdesit dhe kontributit vullnetar të banorëve dhe njerëzve që kanë lidhje me fshatin.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Sinicë, pasi banorët e konsiderojnë kishën jo vetëm një objekt me rëndësi fetare e historike, por edhe pjesë të trashëgimisë dhe identitetit të zonës.

Ata theksojnë se Kisha e Shën Thanasit ka gëzuar ndër vite respektin e komuniteteve të ndryshme fetare. Sipas banorëve, të krishterë dhe myslimanë të zonës janë angazhuar së bashku në mirëmbajtjen dhe rindërtimin e objektit, duke e kthyer atë në një simbol të bashkëjetesës fetare.

Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të hetojnë rastin, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i vendosin ata përpara drejtësisë.

Njëkohësisht, kërkohet ndërhyrje për restaurimin e dëmeve dhe marrjen e masave konkrete për mbrojtjen e kishës, e cila për komunitetin e Sinicës përfaqëson një vlerë të rëndësishme historike, kulturore dhe fetare.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.