Nga Elton Qyno:
Anela Osmani, vajza që mashtroi Kejvina Kthjellën, ish-të dashurën e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Redjan Rrajës, është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mashtrimit”, duke rrezikuar të marrë një dënim deri në 5 vite burgim.
Vendimi për marrjen të pandehur të Anela Osmanit, e cila tashmë punon edhe si kryeinspektore në një institucion të shëndetësisë shqiptare, është marrë nga prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ku pas disa muajsh hetime është provuar se Osmani i ka marrë shumën prej 8 mijë eurosh Kejvina Kthjellës, duke mos ia kthyer më.
Siç rezulton edhe në dosje, Kthjella ka rënë pre e mashtrimit financiar, pasi shoqja e saj i ka marrë një shumë financiare prej 8 mijë eurosh, duke i premtuar se do t’ia mbante, por nuk ia ka kthyer më.
Në muajin maj 2026, Anela Osmani nga qyteti i Gramshit është proceduar nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mashtrimit”. Ndërsa tashmë ajo është marrë e pandehur dhe dosja kundër saj është dërguar në gjykatë.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se rasti është denoncuar në Policinë e Tiranës në fillim të muajit maj 2026, ndërsa në datën 7 maj, materiali hetimor ka mbërritur për veprime hetimore në prokurori.
Fillimisht, prokurori i çështjes ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për të ndaluarën Anela Osmani, e cila, sipas tij, ka konsumuar veprën penale të “Mashtrimit” për paragrafin e parë, duke mos kaluar në sjelljen e pasojave të rënda.
Sipas kallëzimit që Kejvina Kthjella ka bërë në polici, sasinë prej 8 mijë eurosh ajo e kishte kursyer nga të ardhurat e punës. Këtë shumë ajo ia ka lënë në ruajtje shoqes së saj të lagjes, Anela Osmani, pasi vetë Kejvina do të shkonte në banesën e të afërmve të saj në Lezhë.
Për shkak se në shtëpinë në Tiranë do të shkonte pastruesja, sasinë e parave e ka hequr dhe ia ka dhënë në ruajtje Anela Osmanit. Kjo e fundit ka marrë shumën financiare dhe sot e kësaj dite nuk ia ka kthyer, megjithëse Prokuroria e Tiranës ka nisur një dosje penale për “Mashtrim”.
Anela Osmani ka filluar të justifikohet para Kejvina Kthjellës, duke i pohuar kësaj të fundit se lekët i kishte futur në kasafortë, por nuk mund ta hapte kasafortën pasi kishte harruar kodin e saj.
Mirëpo, pas këmbënguljes së Kejvinës, Anela Osmani ka hapur kasafortën dhe lekët nuk ishin aty. Anela Osmani ka vijuar sërish me mashtrime, duke vijuar të justifikohet se sasinë prej 8 mijë eurosh e kishte futur në llogarinë e saj në bankë, por llogaria tashmë ishte bllokuar nga përmbarimi dhe s’mund të kryente veprime tërheqjeje.
Pas këtyre pretendimeve mashtruese, Kejvina Kthjella i është drejtuar Policisë së Tiranës, duke depozituar kallëzim penal ndaj shoqes së saj, Anela Osmani.
Kjo e fundit është arrestuar nga policia dhe në muajin maj 2026 ka dalë para Gjykatës së Tiranës, ku është njohur me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Tashmë, çështja penale kundër Anela Osmanit është dërguar në gjyq, si e pandehur për akuzën e “Mashtrimit”.
