Një rast i rëndë është denoncuar publikisht nga aktivisti Shpend Gashi, i cili ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si është trajtuar një paciente në Spitalin e Pogradecit. Sipas denoncimit të Gashit, një denoncim ku nje grua ishte rrëzuar rreth një javë më parë në tualet dhe ishte dërguar në urgjencë.
Pas kontrolleve, familjarëve u është thënë se “nuk ka asgjë”, ndërsa pacientes i është dhënë një qetësues dhe është dërguar në shtëpi.
Dhimbjet kanë vijuar për ditë me radhë. Sipas aktivistit, familjarët e kanë dërguar sërish në spital pasi kanë konstatuar nxirje të madhe në pjesën anësore të barkut. Edhe këtë herë, pretendohet se pacientja është larguar nga urgjenca me një qetësues dhe me konstatimin se nuk kishte ndonjë problem serioz.
Familjarët kanë kërkuar që pacientja të vizitohej edhe nga një mjek tjetër me më shumë eksperiencë, por, sipas denoncimit, u është thënë se mjeku tjetër nuk mund të vinte në atë orë dhe se duhej të drejtoheshin te mjeku i familjes.
Gjendja e pacientes është rënduar dhe mëngjesin e sotëm ajo është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, në Spitalin e Traumës.
Sipas asaj që raporton Shpend Gashi, në Tiranë mjekët kanë konstatuar dy brinjë të thyera, të cilat i kishin dëmtuar mushkëritë.
Aktualisht, sipas denoncimit të tij, gjendja e pacientes është kritike dhe ajo ka rënë në koma dhe nuk reagon.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi vlerësimin fillestar të pacientes dhe trajtimin e saj në urgjencën e Pogradecit. Përgjegjësitë konkrete, nëse ka pasur neglizhencë mjekësore, mund të përcaktohen vetëm pas një hetimi dhe vlerësimi profesional të dokumentacionit mjekësor.
Denoncimi i Shpend Gashit rikthen në vëmendje problematikat e shërbimit shëndetësor në Pogradec dhe kërkesat e qytetarëve për një trajtim më të kujdesshëm në urgjencë.
