Aksidenti tragjik në Athinë i merr jetën regjisores 29-vjeçare, familjarët duan të realizojnë filmin e saj të fundit

Një aksident tragjik në Athinë i ka marrë jetën në moshën vetëm 29-vjeçare regjisores dhe skenaristes së re greke, Maria Tsioli.

E reja ishte një nga viktimat e aksidentit rrugor të ndodhur në Bulevardin Alexandras. Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka tronditur familjarët, miqtë dhe kolegët, ndërsa në mediat greke është përcjellë me dhimbje historia e një karriere që u ndërpre shumë herët.

Pavarësisht moshës së re, Tsioli kishte arritur të spikaste në kinematografinë greke. Punët e saj ishin prezantuar edhe në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, duke i hapur rrugën një të ardhmeje premtuese në botën e filmit.

Regjisorja kishte planifikuar që në vjeshtën e këtij viti të niste xhirimet e projektit të saj të ri, filmit “Perasma”, që në shqip do të thotë “Kalimi”.

Xhirimet ishin parashikuar të zhvilloheshin në zonën e Agrafas, kryesisht në Megala Vraggiana. Historia e filmit do të fokusohej te jeta e një bariu adoleshent në një zonë rurale.

Pas vdekjes së regjisores, familjarët dhe bashkëpunëtorët e saj kanë shprehur dëshirën që projekti të mos mbetet i papërfunduar. Synimi është që filmi të realizohet duke ruajtur vizionin që Maria Tsioli kishte për veprën e saj të fundit.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga kryebashkiaku i Agrafas, Alexis Kardabikis, i cili ka treguar se kishte komunikuar më herët me regjisoren dhe producentin Spyros Skandalos gjatë përgatitjeve për projektin.

Sipas tij, bashkia do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar në realizimin e filmit, në mënyrë që ëndrra e regjisores 29-vjeçare të mos shuhet bashkë me të.