Shteti Bektashi/ I dërguari i SHBA takon Baba Mondin: “Për të ardhmen duhet të flasë populli”

I dërguar i posaçëm i SHBA-së, Paolo Zampolli ka zhvilluar sot një takim me kreun e Kryegjyshatës Bektashiane, Baba Mondin. Mes të tjerash, Zampolli ka folur për krijimin e shtetit Bektashi brenda Shqipërisë, duke shprehur mbështetjen e tij për këtë projekt. Megjithatë, Zampolli theksoi se për këtë duhet të shprehet populli shqiptar, i cili ka në dorë të vendosë nëse e do krijimin e shtetit bektashi apo jo.

“E kam dëgjuar. Kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë.

Në fund të fundit, njerëzit do të vendosin. Dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar do ta respektojë vendimin e popullit të Shqipërisë. Epo, po mësoj nga ju dhe mendoj se populli i Shqipërisë e dëshiron këtë. Prandaj, nëse populli juaj e dëshiron, mendoj se kjo është një gjë e mirë. Kam dëgjuar disa njerëz të flasin, por ndoshta jo popullin. Prandaj duhet të flasë populli.”– tha ai.

Ai nënvizoi se Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Rubio besojnë fuqishëm te dialogu ndërfetar dhe mbështetja për të gjitha shtëpitë e besimit. Zyrtari amerikan konfirmoi se Shqipëria mbetet një aleate strategjike e rëndësishme, ndërsa njoftoi se ambasadori i ri i SHBA-së, i emëruar për të shërbyer nën vizionin e administratës “Amerika e Parë”, pritet të mbërrijë së shpejti në Tiranë.