Plagosi me armë në Korçë kushëririn/ 4 ditë pas ngjarjes, Tarusha ende në kërkim…

Kanë kaluar 4 ditë nga plagosja me armë zjarri në periferi të Korçës, ndërsa Nikolin Tarusha, i dyshuari si autor i ngjarjes, vijon të jetë në kërkim nga policia. Ngjarja ndodhi pak ditë më parë, ku mbeti i plagosur Dhimitër Shaka, kushëriri i të dyshuarit. Sipas burimeve, dy personat kanë qenë duke udhëtuar së bashku në një automjet, kur mes tyre ka nisur një konflikt për motive të dobëta.

Situata dyshohet se është përshkallëzuar më tej, ndërsa Tarusha dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar ndaj kushëririt të tij, duke e plagosur në këmbë.

Pas ngjarjes, policia ka vijuar kontrollet në zona dhe akse të ndryshme rrugore, duke ngritur postblloqe me qëllim lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë të disa bizneseve në zonën ku dyshohet se ka lëvizur autori pas ngjarjes. Pamjet po përdoren për të rindërtuar itinerarin e tij.

4 ditë pas plagosjes, Tarusha vijon të jetë në kërkim, ndërsa policia po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.