Gjykata e Korçës ka dënuar me 12 vite burg Enedjo Gurin, i akuzuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij, 14-vjeçarit Erald Xhejo, në fshatin Pirg të Maliqit. Vendimi është dhënë më 9 shtator, pas përfundimit të shqyrtimit të provave të administruara në dosjen penale. Gjykata e ka shpallur Gurin fajtor për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Për të njëjtën ngjarje, gjykata ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg xhaxhain e tij, Roland Gurin, ndërsa Flori Çela është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, pasi ka ndihmuar autorin të largohej me automjet pas ngjarjes.
Ndërkohë, babai i Enedjo Gurit është shpallur i pafajshëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht 2025, pas një konflikti mes dy të miturve, i cili dyshohet se lidhej me një përplasje të mëparshme mes tyre.
Sipas provave të administruara në dosjen hetimore, pamjet filmike kanë dokumentuar momentet e konfliktit. Në video, Enedjo Guri shfaqet duke ndjekur 14-vjeçarin Erald Xhejo, ndërsa mbante një thikë në dorë. Viktima është përpjekur të mbrohet, por gjatë përleshjes është goditur me thikë në kraharor.
Goditja rezultoi fatale dhe 14-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagës së marrë.
Pas ngjarjes, Guri u largua nga vendi i krimit, ndërsa sipas akuzës, Flori Çela e ndihmoi atë të largohej me automjet.
Enedjo Guri ndodhet aktualisht në Institucionin e të Miturve në Kavajë, ku pritet të vuajë edhe dënimin e dhënë nga Gjykata e Korçës.
