Një tjetër sukses i rëndësishëm për artin shqiptar vjen nga Anglia, duke dëshmuar edhe një herë se talenti shqiptar di të ngjitet në skenat më prestigjioze ndërkombëtare.
Violinistja dhe kompozitorja Ina Kosturi, profesore e asociuar e violinës në Universitetin e Arteve, është nderuar me Çmimin e Madh në kategorinë “Kompozim Origjinal” në Saint-Saëns International Music Competition.
Kosturi u rendit e para në të gjitha kategoritë e konkursit për vitin 2025, me veprën e saj “Koncert për violinë dhe orkestër”, duke shënuar një tjetër moment të veçantë për përfaqësimin e muzikës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ajo bëhet gjithashtu shqiptarja e parë e vlerësuar në konkurset e WOMCO-së.
Vepra e saj muzikore ka marrë vëmendje edhe përtej skenave të konkurrimit. Kompozimet e Ina Kosturit janë interpretuar nga studentë dhe janë botuar nga Universal Edition në Vjenë, një prej shtëpive të njohura botuese të muzikës në Evropë.
Ky vlerësim i shtohet një serie arritjesh të saj në konkurse ndërkombëtare në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, duke e vendosur emrin e një artisteje shqiptare gjithnjë e më dukshëm në hartën e muzikës bashkëkohore.
Një çmim për Ina Kosturin, por edhe një tjetër arsye krenarie për artin shqiptar.



