12 të arrestuar pas protestës te Zogu i Zi/ 15 të tjerë në hetim, policia publikon detajet

Pas protestës të zhvilluar një ditë më parë (14 shtator), në nisje të vitit shkollor 2026-2027, Policia ka arrestuar 12 qytetarë, ndërsa ka nisur hetimin në gjendje të lirë për 15 të tjerë. Tubimi u zhvillua pranë gjimnazit “Qemal Stafa”, në zonën e ‘Zogut të Zi’, ku Policia njofton se protestuesit u bënë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor, duke cënuar perimetrin e sigurisë në shkollë.

Të arrestuarit janë Visuar Dalipi (një nga organizatorët), Ermelind Kuka, Dorjan Balla, Artan Daci, Ervis Beqaj, Ramazan Dauti, Bekim Imeraj, Visuar Dalipi, Axhim Micalliu,  Aleandro Ahmetsulaj, Ridvan Kamberi, Klodian Bajrami dhe Enrik Xhemalaj.

Gjatë shoqërimeve, një efektiv i forcave Shqiponja, goditi me grusht në bark një protestues që ishte ndaluar nga blutë. Pamjet e icidentit u përhapën me shpejtësi në rrjete sociale, çka solli dhe pezullimin e efektivit.

Njoftimi i policisë:

Cënuan perimetrin e sigurisë në shkolla dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të paligjshëm të zhvilluar dje, arrestohen në flagrancë 12 shtetas dhe procedohen penalisht 15 të tjerë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 14.09.2026:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 19 vjeç; D. B., 36 vjeç; A. D., 41 vjeç; E. B., 36 vjeç; R. D., 31 vjeç; B. I., 37 vjeç; V. D., 29 vjeç; A. M., 20 vjeç; A. A., 56 vjeç; R. K., 63 vjeç; K. B., 24 vjeç dhe E. Xh., 39 vjeç;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. B., 32 vjeçe; B. K., 27 vjeç; A. Zh., 26 vjeç; S. E., 32 vjeç; M. R., 28 vjeç; A. P., 49 vjeç; L. B., 39 vjeç; K. N., 20 vjeç; F. K., 34 vjeç; E. N., 33 vjeç, A. D., 23 vjeç, E. P., 31 vjeç, L. P., 26 vjeç, M. P., 18 vjeç, dhe I. M., 28 vjeç.

Më datë 14.09.2026, rreth orës 07:30, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa lejen përkatëse, dhe vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit, ku ndaluan pranë një gjimnazi duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin, duke cënuar perimetrin e sigurisë në shkollë.

Pavarësisht thirrjeve të punonjësve të Policisë për largimin nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për lirmin e trotuarit për kalimin e qytetarëve, disa prej pjesëmarrësve në tubim nuk iu bindën urdhrave dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.