Kryeministri Edi Rama pritet të jetë nesër në Korçë, në kuadër të takimeve të konsultimit publik për rishikimin e ndarjes administrative-territoriale të vendit. Në fokus të takimit në juglindje pritet të jetë veçanërisht Bashkia Maliq, e cila, sipas një prej propozimeve të bëra nga Partia Socialiste, parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë Korçë.
Propozimi ka shkaktuar reagime të forta në Maliq, ku kundërshtimet janë shoqëruar edhe me protesta.
Zëra kundër ndryshimit të propozuar janë dëgjuar edhe nga punonjës të administratës vendore, duke e bërë çështjen një nga temat më të ndjeshme në zonë.
Takimi i së mërkurës në Korçë pritet të shërbejë si një tjetër etapë e konsultimeve për hartën e re administrative. Kryeministri Rama pritet të prezantojë propozimet dhe t’i diskutojë ato me banorët, përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe aktorë të tjerë lokalë.
Takimi do të zhvillohet në orën 09:30, në teatrin “Andon Zako Çajupi”.
Mbetet për t’u parë nëse propozimi për shkrirjen e Bashkisë Maliq do të kthehet në pikën kryesore të debatit gjatë konsultimit publik dhe nëse kundërshtimet e banorëve dhe përfaqësuesve vendorë do të ndikojnë në diskutimin për hartën e re administrative-territoriale.
