Vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes të cilit babai i saj u dënua me 25 vjet burgim. Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Gresë Krasniqi e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka shprehur bindjen e saj për pafajësinë e babait të saj dhe të bashkëakuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli”, ka shkruar ajo.
Ajo ka kritikuar vendimin e gjykatës, duke pretenduar se procesi dhe aktgjykimi janë të motivuara politikisht. Sipas saj, vendimi dëmton edhe imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mënyrën se si ajo periudhë historike paraqitet në publik.
Gresë Krasniqi ka folur edhe për katër të akuzuarit, duke thënë se gjatë luftës në Kosovë ata kishin marrë armët për të mbrojtur familjet dhe popullsinë nga forcat serbe.
Në reagimin e saj, ajo ka përmendur edhe ish-ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, duke e përdorur rastin e tij si pjesë të kritikës ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.
“Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, vajza e Jakup Krasniqit ka bërë të ditur se vendimi nuk do t’i ndalë ata në përpjekjet e tyre për drejtësi.
“Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi!”, ka përfunduar Gresë Krasniqi.
