“U dënuan çlirimtarët”/ Shpërthen vajza e Jakup Krasniqit: “Sot ndodhi padrejtësia më e madhe”

Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar Gresë Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, i cili u dënua me 25 vite burgim. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gresë Krasniqi e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe akuzoi gjykatën për veprim politik.

Ajo tha se vendimi, sipas saj, dëmton rëndë figurën e UÇK-së dhe historinë e Kosovës, ndërsa shprehu bindjen për pafajësinë e babait të saj dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Në reagimin e saj, ajo mbrojti edhe rolin e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se katër të akuzuarit, sipas saj, morën armët për të mbrojtur popullsinë shqiptare. Në fund të reagimit, vajza e Jakup Krasniqit tha se vendimi nuk do ta thyejë familjen dhe shprehu vendosmërinë për të vijuar betejën për drejtësi.

Reagimi

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.

Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, perfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin.

Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.

UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët.

Në këtë gjykatë te padrejt, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky eshte vec nje tjeter tregues i qarte per natyren paragjykuese dhe politike te po kesaj gjykate.

Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë.

Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës.

Krenaria mbetet. E vërteta mbetet.

Ne do ta vazhdojmë luften për liri dhe drejtesi!