Skënderbeu duket se ka gjetur një “xhevahir” të ri në prag të duelit ndaj Vorës. Bëhet fjalë për sulmuesi Flavio Shkëmbi, i cili këtë fundjavë rrëmbeu “skenën” duke shënuar plot 3 gola me fanellën e ekipit të të rinjve, në barazimin dramatik 3-3 ndaj Tiranës së Matias Qirinxhi, teksa i ka dërguar kështu një sinjal të qartë trajnerit Ahmtataj për ta pasur në planet e tij.
Talenti korçar i datëlindjes 17 shtator 2008, është pjesë e ekipit të parë, por ende nuk ka bërë debutimin e tij me fanellën bardhekuqe këtë sezon, teksa pret shansin artë.
Në katër javët e para tekniku Ahmataj, e ka përmbushur rregullin e ri të aktivizimit të një lojtari të datëlindjes 2007, duke aktivizuar mbrojtësin Grazhdani, por forma fantastike që po kalon Shkëmbi së fundmi, mund ta ndryshojë situatën.
Shkëmbi aktivizohet si sulmues i krahut të djathtë, ndërkohë që ishte i papërmbajtshëm në duelin ndaj bashkëmoshatarëve të Tiranës, teksa e tundi 3 herë rrjetën në minutat 17, 27 dhe 59, dukë bërë ndjeshëm diferencën në fushën e lojës.
Ky fakt me shumë gjasa e ka futur në mendime trajnerin Ahmataj, që se shpejti mund ta shikojë Shkëmbin si një alternative dinjitoze për krahun e djathtë të sulmit. Vlen të theksohet fakti se në pjesën më të madhe të dueleve miqësore që Skënderbeu zhvilloi në verë para startit të sezonit të ri, ishte pikërisht Shkëmbi, ai që u provua nga trajneri si titullar, por më pas tekniku zgjodhi t’i besonte Grazhdanit.
“Panorama Sport” mëson gjithashtu se sezonin e shkuar Shkëmbi u kërkua me ngulm edhe nga drejtuesit e Partizanit, për ta bërë pjesë të akademisë, por ishin drejtuesit e Skënderbeut ata që bllokuan çdo tratativë, duke mos e lënë xhevahirin e tyre të largohej.
17-vjeçari gjithashtu ka qenë pjesë edhe e Kombëtareve të moshave, ku është aktivizuar 3 ndeshje me Shqipërinë U16 duke shënuar 3 gola si dhe 5 ndeshje me Shqipërinë U17. /ILDI MEROLLI Panorama Sport


