Debati për Gjendjen e Unionit në Parlamentin Evropian u shoqërua me tone të ashpra, teksa eurodeputetja greke Afroditi Latinopoulou sulmoi publikisht Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Latinopoulou e akuzoi von der Leyen për politikat e migracionit dhe e cilësoi atë si “racisten më të madhe kundër evropianëve”.
Sipas eurodeputetes greke, politikat e ndjekura nga institucionet evropiane po rëndojnë veçanërisht mbi vendet e vijës së parë, përfshirë Greqinë.
Në fjalën e saj, ajo pretendoi se migracioni i paligjshëm po krijon probleme sociale në qytetet evropiane dhe kritikoi mënyrën se si Brukseli po e trajton çështjen.
Latinopoulou sulmoi gjithashtu politikat klimatike të BE-së dhe Marrëveshjen e Gjelbër, duke i lidhur ato me mbylljen e fabrikave dhe humbjen e vendeve të punës.
Eurodeputetja ngriti edhe çështjen e transparencës së Komisionit Evropian, duke iu referuar komunikimeve mes von der Leyen dhe drejtuesit të Pfizer, Albert Bourla, gjatë negociatave për vaksinat kundër COVID-19.
Ndërkohë, në fjalimin e saj, von der Leyen paraqiti një sërë nismash për migracionin, sigurinë, klimën dhe ekonominë, përfshirë një kuadër të ri evropian për situatat e flukseve të mëdha të migrantëve.

