Punësohej për të vjedhur xhiron/ “Kumi” bie në pranga, 5 biznese denoncojnë skemën

Merr fund ankthi i bizneseve. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatet Nr. 1 dhe Nr. 2 kanë vënë në pranga 39-vjeçaren Kumrie Zika, e njohur ndryshe si “Kumi”. Arrestimi i saj u krye në ambientet e një lokali në Tiranë, pasi ndaj saj ishin ngritur disa denoncime nga pronarë biznesesh.

Sipas hetimit policor, 39-vjeçarja përdorte një skemë me synim përvetësimin e paligjshëm të parave, ku paraqitej për t’u punësuar në subjekte të ndryshme tregtare dhe që në ditët e para merrte xhirot ditore e largohej. Deri më tani, autoritetet kanë dokumentuar pesë raste vjedhjesh në territoret e dy komisariateve, ndërsa po punohet për zbardhjen e rasteve të tjera dhe materialet i janë kaluar Prokurorisë.

NJOFTIM:

“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Punësohej në subjekte të ndryshme me qëllim që të vidhte xhirot ditore, vihet në pranga 39-vjeçarja. Dokumentohen 5 raste vjedhjesh në subjekte të ndryshme. 39-vjeçarja u kap në ambientet e një lokali në Tiranë, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”.

Në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pasurisë, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skema”.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetases të shpallur në kërkim K. Z., 39 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga hetimet e kryera, dyshohet se kjo shtetase punësohej përkohësisht në subjekte të ndryshme në Tiranë me qëllim për të vjedhur xhirot ditore, përpara se të largohej.

Në kuadër të këtij operacioni u dokumentuan 5 raste vjedhjesh të ndodhura në territoret e Komisariateve Nr. 1 dhe 2. Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.”

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.