Nga Mevlan Shanaj:
Korça, studioja ime e dytë
Dje, në Korçë, të ftuar nga Jul Napoloni për një program të ri mbi xhirimet e filmave shqiptarë në këtë qytet, isha bashkë me Natashën.
Në distancë, teksa po xhironin në Mësontoren dhe në Parkun Rinia, pashë gazetaren serioze e simpatike, bionden që drejtonte programin, dhe Trajçen, pinjollin e një dinastie që e lidh miqësia me familjen time, nipim e Trajçes kameramanin Ilir.
Më pas erdhi radha ime.
Xhirimet u bënë në një nga rrugicat e Korçës së vjetër, rrugica që për mua nuk janë thjesht një pjesë e qytetit, por një pjesë e jetës sime artistike.
Aty, gjatë rrëfimit para kamerës, m’u kujtua se Korça ka qenë studioja ime e dytë.
Gjithçka kishte nisur në vitin 1969, me filmin I teti në bronz, dhe më pas kishte kulmuar me Rrugicat që kërkonin diell. Në Korçë kam bërë 16 punë, 14 prej tyre si regjisor dhe dy si aktor.
Korça nuk është vetëm djepi i kulturës shqiptare.
Për mua është edhe një qytet i mbushur me kujtime familjare. Këtu fëmijët e mi kalonin pushimet kur ishin të vegjël. Kështu, krahas filmave, rrugëve dhe personazheve të mi, në Korçë kanë mbetur edhe gjurmë nga fëmijëria e tyre.
Sa shumë Korçë të bukur ka në jetën time!
Dhe, mbi të gjitha, kam Natashën — një korçare të famshme, që e ka bërë edhe më të afërt me mua këtë qytet.
Ndoshta kjo është ironia e bukur e fatit: një djalë që erdhi në Korçë për të bërë filma, pa e ditur se me kalimin e viteve qyteti do të bëhej pjesë e historisë së tij artistike, por edhe e historisë së familjes së tij.
Sot, kur kthehem në këto rrugica, nuk shoh vetëm filmat që kam bërë. Shoh kohën. Shoh fëmijët e mi të vegjël, kujtimet, miqtë, njerëzit që kanë kaluar para kamerës sime dhe, mbi të gjitha, shoh një pjesë të jetës sime që ka mbetur këtu.
Korça nuk ka qenë vetëm studioja ime e dytë.
Ka qenë një nga ato vendet ku arti dhe jeta, pa e kuptuar, u bënë një.
