Një nga momentet më të bukura dhe më emocionuese të Korça Serenights ishte padyshim pjesëmarrja e këngëtares Korçare Eli Fara, e cila solli në skenë magjinë e serenatës dhe disa prej këngëve më të dashura të publikut. Eli Fara, një nga zërat më të identifikueshëm të këngës Korçare, e nisi këtë pjesë të veçantë të mbrëmjes me interpretimin e “Sonatës”, një prej këngëve ikonike të repertorit të saj.
Atmosfera u bë edhe më e veçantë kur këngëtarja vijoi me këngë të tjera të njohura të serenatës korçare, duke rikthyer për publikun tingujt, dashurinë dhe nostalgjinë e rrugicave të qytetit.
Mes tyre ishte edhe kënga me vargjet “Një djalë dhe një vajzë…”, e cila vijoi me motivin e njohur “Ndalë varkë, varkaxhi…”, duke i dhënë mbrëmjes një tjetër moment të bukur serenate.
Më pas, repertori vijoi me këngën “Me kë syçkat, moj…”, një tjetër interpretim që solli në skenë atë atmosferë të veçantë të këngës korçare dhe kujtimet e një tjetër kohe.
Me zërin dhe interpretimin e saj, Eli Fara dëshmoi edhe një herë se serenata korçare nuk është thjesht një këngë, por një pjesë e identitetit dhe kujtesës së qytetit.
Korça Serenights solli në këto netë muzikore pikërisht këtë atmosferë: këngën që bashkon brezat, kujtimet e dashurisë dhe tingujt që vazhdojnë të jetojnë në rrugicat e Korçës.

