“Mos prisni më partitë”/ Klajdi Pllaha thirrje për qytetarët: “Organizohuni dhe hyni në zgjedhje

Nga Klajdi Pllaha:

Ajo që po ndodh sot në Serbi duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht edhe ne. Studentët që protestuan për muaj me radhë nuk u mjaftuan me protestën. U organizuan. Krijuan një listë qytetare dhe vendosën të hyjnë në zgjedhje.

Ndërkohë, Vuçic jep dorëheqjen e Serbia shkon në zgjedhje të parakohshme më 25 tetor.

Po ne?

Rama me sa duket nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen pavarsisht skandaleve njëra pas tjetrës. Atëhere s’na ngelet gjë tjetër veç të mendojmë për zgjedhjet.

A mundet protesta të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?
Në Shqipëri, qytetari mund të kandidojë si i pavarur, por sistemi ynë nuk i jep të njëjtën mundësi qytetarëve të organizohen në një listë të pavarur shumemërore për këshillat bashkiakë.

Dhe kjo nuk është thjesht një çështje teknike.

Është një pengesë për ta kthyer zemërimin dhe angazhimin qytetar në përfaqësim real.

Dhe nëse duam të ndryshojmë realisht raportin e forcave në këtë vend, nuk mund të presim pafundësisht që ndryshimi të vijë vetëm nga partitë.

Le ta themi hapur: opozita sot nuk frymëzon besimin e nevojshëm te një pjesë e madhe e shoqërisë. Partitë e reja ende duhet të provojnë veten. Ndërsa qytetarët që kanë protestuar, janë aktivizuar dhe janë përballur me problemet e qyteteve të tyre, nuk mund të mbeten gjithmonë vetëm audiencë.

Prandaj, duhet të organizohemi.

Jo nesër. Tani.

Në çdo qytet duhet të fillojë një bisedë konkrete:

“Kush janë 10, 20, 50 qytetarë që duan të marrin përgjegjësi për qytetin e tyre?”

Kush janë njerëzit me integritet, profesion dhe reputacion në komunitet që mund të përfaqësojnë qytetarët në këshillin bashkiak apo të marrin drejtimin e bashkisë?

Kush është gati të dalë nga Facebooku dhe protesta dhe të bëhet pjesë e vendimmarrjes?

Unë mendoj se duhet të fillojmë pikërisht këtu.

Nëse je qytetar dhe mendon se qyteti yt meriton përfaqësim më të mirë, shkruaj. Organizohu me njerëz të tjerë. Krijoni një grup qytetar. Flisni për problemet konkrete të bashkisë suaj. Identifikoni njerëzit që mund t’ju përfaqësojnë. Dhe kërkoni mënyrën ligjore për ta kthyer këtë organizim në përfaqësim politik.

Dhe gjithë forcat opozitare nëse duan vërtet të fitojnë duhet të mbështesë njerëzit e besueshëm të komunitetit.

Ndërkohë protesta duhet të organizohet për ditën pas protestës.

Nëse duam që në 2029 të flasim për një Shqipëri tjetër, nuk mund të presim vitin 2029.

Duhet të fillojmë sot.

Nëse mendon se kjo është Rruga, më shkruaj.

Le të shohim sa njerëz jemi, sa qytete mund të organizohen dhe sa qytetarë janë gati të mos presin më që dikush tjetër t’i përfaqësojë.

Qyteti është i yni. Përfaqësimi duhet të jetë gjithashtu. Rruga #Korçë #opinion #democracy

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.