Fillimi i sezonit të ri të “Portokalli” ka shkaktuar debate të shumta në rrjet, pas një pjese humoristike të transmetuar mbrëmjen e djeshme, ku u ironizuan protestues, pankarta dhe situata të lidhura me protestën qytetare që po zhvillohet prej më shumë se katër muajsh në Tiranë.
Parodia ka shkaktuar reagime të ndryshme në publik. Ndërsa disa e kanë konsideruar pjesën si humor dhe satirë ndaj personave që përdorin protestën për përfitime personale, të tjerë kanë kritikuar aktorët, duke e interpretuar atë si një tallje ndaj vetë protestës dhe qytetarëve që marrin pjesë në të.
Përballë reagimeve, aktori Irgen Çela ka reaguar paraditen e sotme përmes një video-mesazhi, ku ka sqaruar edhe një herë qëllimin e skeçit. Sipas tij, parodia nuk kishte për objektiv qytetarët që protestojnë për shërbime më të mira apo për kauza konkrete, por personat që, sipas tij, e shfrytëzojnë protestën për vëmendje personale.
Megjithatë, sqarimi i aktorit nuk ka mjaftuar për të ndalur kritikat në rrjet. Mes reagimeve ka spikatur edhe ai i Florjan Binajt, ish-partnerit të Çelës në skenë, me të cilin ka ndarë për vite humorin e famshëm të “dy policëve”.
Binaj, i cili prej kohësh është identifikuar publikisht me mbështetjen e tij ndaj protestës qytetare, ka shprehur keqardhje për pjesën e transmetuar në “Portokalli”.
Reagimi i tij ka marrë vëmendje të veçantë pikërisht për shkak të marrëdhënies së gjatë profesionale me Çelën dhe historisë së tyre të përbashkët në spektaklin humoristik.

