Shqetësimi për të ardhmen e industrisë së manifakturës u ngrit në mënyrë të hapur në Elbasan, gjatë takimit të Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” me sipërmarrësit e fasonerive. Përfaqësuesit e sektorit paralajmëruan se industria po përballet me disa vështirësi të njëkohshme, mes tyre rënia e eksporteve, kostot e larta të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe zhvlerësimi i euros.
Të dhënat e paraqitura nga përfaqësuesit e industrisë tregojnë një tkurrje të ndjeshme të sektorit.
Nga rreth 65 mijë persona që punësoheshin dikur në manifakturë, sot numri ka zbritur në rreth 40 mijë. Ndërkohë, afro 150 njësi fasonerie raportohet se kanë ndërprerë aktivitetin gjatë viteve të fundit.
Kryetari i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”, Florian Zekja, tha se sektori ka humbur rreth 25 mijë vende pune, ndërsa eksportet kanë pësuar një rënie të konsiderueshme.
Gjendemi në një situatë tejet të vështirë. Nga 65 mijë punonjës kemi zbritur në 40 mijë. Edhe eksportet kanë rënë, nga 1 miliard e 400 milionë euro që ishin në vitin 2023 në 960 milionë euro vitin e kaluar”, u shpreh Zekja.
Një prej problemeve kryesore të ngritura nga sipërmarrësit është edhe kursi i këmbimit të euros.
Sipas tyre, luhatjet e monedhës po vështirësojnë planifikimin financiar dhe prodhimin, ndërsa po ndikojnë edhe në marrëdhëniet me kompanitë e huaja që kontraktojnë prodhuesit shqiptarë.
Përballë kostove në rritje dhe konkurrencës së fortë në tregjet ndërkombëtare, bizneset kërkojnë mbështetje për investime në teknologji dhe pajisje të reja. Sipas sipërmarrësve, automatizimi do të rriste produktivitetin dhe do të ndihmonte në ruajtjen e vendeve të punës.
“Një nga ndihmat që do të duhej të na ofronte qeveria është investimi në makineri dhe teknologji të reja. Për Paketën Fiskale 2027 do të ishte me vlerë të përfitonim grante”, deklaroi Agron Hyseni, sipërmarrës në Gramsh.
Në tryezë u ngrit edhe çështja e barrës fiskale mbi pagat.
Sipërmarrësit argumentojnë se ulja e kësaj barre do t’u krijonte mundësi kompanive për të rritur pagat dhe për ta bërë sektorin më konkurrues në tregun e punës.
Për të frenuar tkurrjen e industrisë, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kërkon ndërhyrje konkrete në Paketën Fiskale 2027. Në tryezë janë propozuar gjashtë masa, përfshirë uljen e kostos së punës, rritjen e amortizimit fiskal, tarifa më të ulëta doganore për lëndët e para, lehtësi për fitimin e riinvestuar dhe krijimin e një fondi të posaçëm për teknologjinë dhe automatizimin.
Manifaktura mbetet një prej sektorëve
të rëndësishëm për punësimin dhe eksportet në Shqipëri, por sipërmarrësit paralajmërojnë se vështirësitë e akumuluara po rrisin presionin mbi aktivitetin e fasonerive. Bizneset kërkojnë masa konkrete për të frenuar mbylljen e njësive të prodhimit, për të ruajtur vendet e punës dhe për të rikthyer konkurrueshmërinë e sektorit në tregjet ndërkombëtare.
