Një ngjarje e rëndë është regjistruar në rafinerinë e naftës “Motor Oil” në Agioi Theodoroi të Greqisë, ku 43-vjeçari shqiptar Robert Cakaj ka humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm.
Shpërthimi ndodhi pak pas orës 11:00, gjatë punimeve të mirëmbajtjes në ambientet e rafinerisë. Ngjarja shkaktoi dy të plagosur rëndë dhe një person tjetër me lëndime të lehta.
Përmes një deklarate zyrtare, kompania “Motor Oil” bëri të ditur se dy punëtorë u plagosën rëndë gjatë mirëmbajtjes parandaluese në rafineri. Sipas kompanisë, të plagosurve iu dha menjëherë ndihma e parë dhe ata u transportuan në spital, ku morën kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Fillimisht, dy punëtorët në gjendje të rëndë u dërguan në Spitalin e Korinthit, ndërsa më pas u transferuan në spitalin Thriasio për trajtim të specializuar. Njëri prej tyre, 43-vjeçari Robert Cakaj, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, 50-vjeçari Dorian Hysa vijon të trajtohet në gjendje kritike, i intubuar, pasi ka pësuar lëndime të rënda në kokë. Një person i tretë u paraqit gjithashtu në spital me probleme të lehta respiratore.
Pas ngjarjes, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit. Sipas informacioneve paraprake, prokurori ka kërkuar arrestimin e kontraktorit të përfshirë në punimet në rafineri.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë për aksidentin e rëndë që i mori jetën punëtorit shqiptar.

