50-vjeçari shqiptar Dorian Hysa ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të diele në spital, dy ditë pasi mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi në rafinerinë “Motor Oil” në Greqi, ku punonte.
Hysa kishte marrë plagë të rënda në kokë dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve të marra nga aksidenti i rëndë.
Vdekja e tij vjen vetëm dy ditë pas humbjes së jetës së një tjetër punëtori shqiptar, 43-vjeçarit Robert Cakaj, i cili gjithashtu humbi jetën si pasojë e shpërthimit. Cakaj la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të vegjël.
Dy punëtorët shqiptarë u transportuan me urgjencë në Spitalin e Korinthit, ndërsa raportohet se një punëtor i tretë u paraqit me probleme të lehta respiratore. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, të plagosurit që kishin nevojë për trajtim të specializuar u transportuan më pas në Eleusis, ku fatkeqësisht ndërruan jetë.
Nën hetim masat e sigurisë në rafineri
Pas ngjarjes tragjike, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit, ndërsa Policia Helenike po shqyrton edhe masat e sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes në rafineri.
Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar tre drejtues të kompanisë “Motor Oil”, të cilët dyshohet se kishin përgjegjësi në mbikëqyrjen e projektit ku ndodhi aksidenti.
Sipas informacioneve të bëra publike, bëhet fjalë për një kryepunëtor 36-vjeçar, një menaxher 50-vjeçar të Departamentit të Shëndetit dhe Sigurisë dhe një operator projekti 34-vjeçar.
Këtyre arrestimeve u është shtuar edhe ai i kontraktorit të kompanisë së jashtme, e cila po kryente punime brenda rafinerisë në momentin e shpërthimit.

