Regjisori dhe aktori i njohur Hervin Çuli ka reaguar ashpër për protestën studentore në Tiranë, duke kritikuar dhunën dhe përplasjet në rrugë. Përmes një postimi, ai thekson se ndryshimi i vërtetë vjen përmes protestës qytetare paqësore dhe votes.
Reagimi i plotë i Hervin Çulit:
Nuk rrëzohet qeveria nga ca kalamaj rrugaçë me kapuça që djegin qytetin.
Kalamaj që vendosen në skalionin e parë si kamikazë nën emrin e studentēve. Ata që i vendosin aty janë burracakët e ndyrë te skutave të errëta të politikës. Levat, çekiçët dhe maskat e kapuçoneve, apo sharjet me libër shpie të kryeministrit i japin jetë imazhit të një shoqërie tribale, të kundërt me qytetarin e emancipuar që kërkon ndryshimin e duhur.
Qeveria rrëzohet nga studentet e vërtetë, ata që mësojnë, ata që aspirojnë një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri ku punohet e nuk vegjetohet duke pritur shansin me bo lek!
Qeveria rrëzohet nga elitat intelektuale, nga populli i thjeshtë dhe i bukur! Shëmtia e coptimit të qytetit është padyshim dëshpërim për gjëndjen aktuale të vendit, e për këtë kjo qeveri e korruptuar duhet të marri përgjigjen e duhur! Po kjo përgjigje vjen me presion qytetar gandist, e padyshim me votë!
Ajo që po ndodh është një trishtim i madh kulturor, i gatuar në vite e vite me ngritjen në piedestal të injorancës!
Duhet distancim i menjëhershëm nga pjesa e shëndoshë e politikës, e medias. Të gjithë humbin nga ajo çka po ndodh. Mjaft se na u hap barku me shëmbullin idiot të protestave në Francë që janë komplet tjetër gjë. Populli i vërtetë duhet ti kthehet me lule sheshit, 24 orë po qe nevoja, ndryshe edhe ky moment historik do zhduket si pluhur në ajër. Në të kundërt, fatkeqësisht, meritojmë qeverinë që kemi!…
