Një konflikt i çastit ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 59-vjeçari mbremjen e sotme në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të postës, ku një 67-vjeçar dyshohet se ka goditur me mjet prerës personin tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes dy personave ka agravuar, duke bërë që 67-vjeçari, i identifikuar me inicialet N.H., të plagosë 59-vjeçarin në zonën e qafës.
I dëmtuari ka marrë një plagë dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas incidentit, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë, po kryhen veprimet procedurale për arrestimin e tij.
Njoftimi i policise:
Plagosi me thikë një shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet pas 3 orësh autori i dyshuar i ngjarjes. Rreth orës 18:40, në rrugën “Edit Durham”, Korçë, shtetasi N. H., 67 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. F., 59 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur që, pas tre orësh kërkimesh, të lokalizojnë, kapin dhe shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme, 67-vjeçarin.
Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

