Pas bonusit ,rritje pagash për Policinë e Shtetit nga 1 janari, deri në 20 mijë lekë më shumë në muaj

Nga 1 janari, efektivët e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë rritje të konsiderueshme të pagave mujore, në atë që konsiderohet si një nga rritjet më të mëdha financiare për uniformat blu.

Sipas vendimit të qeverisë, punonjësit e rolit bazë do të përfitojnë 20 mijë lekë të reja më shumë në muaj, ndërsa efektivët me grada më të larta do të kenë një rritje prej 15 mijë lekësh, deri në nivelin e drejtuesit madhor.

Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë cilësuar këtë masë si një mbështetje të rëndësishme financiare për punonjësit e strukturave të rendit, duke synuar përmirësimin e trajtimit ekonomik të tyre.

Rritja e pagave vjen në një periudhë të tensionuar politikisht dhe shoqërisht, pas protestave të njëpasnjëshme në vend, gjatë të cilave efektivët e policisë janë përballur me përplasje, si dhe me kritika lidhur me menaxhimin e situatave të krijuara.

Ndërkohë, pak ditë më parë, qeveria bëri të ditur shpërndarjen e një shpërblimi financiar prej 2,980 eurosh për 2,750 punonjës të Policisë së Shtetit, si vlerësim për angazhimin e tyre gjatë tubimeve të fundit.

Masat financiare vijnë në kuadër të mbështetjes së punonjësve të rendit, ndërsa mbetet për t’u parë ndikimi i tyre në motivimin e efektivëve dhe në përmirësimin e kushteve ekonomike të personelit të Policisë së Shtetit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.