Kryeministri Rama ka prezantuar paketën e re të masave ekonomike dhe fiskale që qeveria synon të zbatojë në kuadër të Buxhetit të vitit 2027 dhe Programit Buxhetor Afatmesëm 2027-2029. Ndryshimet e propozuara prekin çmimet e ushqimeve, pagat, bizneset, hotelet, pronat dhe automjetet.
Një nga njoftimet që pritet të tërheqë më shumë vëmendje është ulja e çmimit të naftës me 32 lekë për litër, përmes heqjes së taksës së qarkullimit nga çmimi në pompë.
Sipas Ramës, kjo taksë do të zhvendoset te automjeti dhe do të mblidhet përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Paralelisht, qeveria planifikon të vendosë një taksë qarkullimi për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar.
Një tjetër masë e rëndësishme është ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë, nga 20% në 6%. Në listë përfshihen mishi, peshku, bulmeti, vezët, mielli, vajrat, sheqeri, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Rama deklaroi se kjo ndërhyrje synon t’u lërë familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit, duke premtuar gjithashtu masa për të parandaluar abuzimet me çmimet.
Nga ana tjetër, norma standarde e TVSH-së pritet të rritet me një pikë përqindjeje, ndërsa TVSH-ja në sektorin e hotelerisë do të kalojë nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit.
Ndryshime për pagat dhe bizneset
Në paketën e re parashikohet rritja e pragut të sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja, një masë që, sipas Ramës, prek rreth 32 mijë tatimpagues.
Ndërkohë, për pagat mbi 700 mijë lekë të reja parashikohet një normë tatimore prej 30%. Qeveria synon gjithashtu të rrisë tatimin mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa tatimi mbi fitimin e sipërmarrjes do të mbetet në nivelin 15%.
Një tjetër ndryshim lidhet me pragun e regjistrimit për TVSH-në, i cili do të ulet për bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë. Sipas Ramës, synimi është të parandalohet përdorimi i bizneseve të vogla për shmangien e detyrimeve fiskale nga kompanitë e mëdha. Megjithatë, qeveria konfirmon se taksa zero mbi fitimin për biznesin e vogël do të mbetet në fuqi deri në vitin 2029.
Taksa të reja për pronat, makinat luksoze dhe ekonominë digjitale
Masat e njoftuara përfshijnë edhe një sistem të ri taksimi për ekonominë digjitale, ku do të përfshihen krijuesit e përmbajtjeve online dhe aktivitetet e tregtisë elektronike.
Rama bëri të ditur gjithashtu se po punohet për vendosjen e taksave më të larta për apartamentet që mbahen bosh dhe nuk jepen me qira, për vilat në bregdet, si dhe për ujin e përdorur në pishina. Në paketën fiskale parashikohet edhe një super-taksë për makinat e luksit.
Në Ministrinë e Financave pritet të krijohet Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, ndërsa formulari i deklarimit të të ardhurave do të përshtatet me modele të përdorura në vendet e Bashkimit Europian. Kjo do të sjellë kontrolle më të specializuara për individët me të ardhura relativisht të larta.
Sipas Ramës, masat synojnë të rrisin të ardhurat buxhetore, të forcojnë formalizimin e ekonomisë dhe të rishpërndajnë barrën fiskale. Propozimet do të konkretizohen përmes paketës fiskale dhe akteve përkatëse që do të shoqërojnë Buxhetin 2027.
