Pesë shtetas nga Sudani dhe një nga Kuvajti u zbuluan gjatë kontrollit të një kamioni me destinacion Durrësin. Ata dyshohet se synonin të udhëtonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Gjashtë shtetas të huaj, të cilët udhëtonin të fshehur në hapësirën e ngarkesës së një kamioni, janë zbuluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, gjatë kontrolleve të kryera nga punonjësit e Degës Doganore në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Ngjarja u regjistrua më 27 tetor 2026, rreth orës 22:00, gjatë kontrollit dhe skanimit të një kamioni të ardhur nga Turqia, me destinacion Durrësin.
Gjatë procesit të skanimit, punonjësit doganorë konstatuan shenja të dyshimta në pjesën e pasme të trajlerit, të cilat ngjanin me silueta njerëzish. Pas këtij konstatimi, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, u krye kontrolli fizik i automjetit.
Nga verifikimet rezultoi se vula e sigurisë në kavo ishte e paprekur, ndërsa në pjesën e pasme të kamionit u gjetën gjashtë shtetas të huaj, të fshehur mes hapësirës së ngarkesës.
Sipas intervistimit paraprak, pesë prej tyre ishin shtetas të Sudanit dhe një shtetas i Kuvajtit. Disa dispononin dokumente identifikimi, ndërsa dy deklaruan se nuk kishin dokumente me vete.
Nga deklarimet paraprake të tyre mësohet se ishin futur në kamion në Turqi, me synimin për të mbërritur në vendet e Bashkimit Evropian.
Administrata Doganore vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në evidentimin e rastit, duke theksuar rëndësinë e skanimit dhe kontrollit fizik të automjeteve për zbulimin e rasteve të dyshuara të trafikimit ose kontrabandimit të personave.

