Një qytetare, e pranishme në protestë, ka përcjellë një mesazh të fortë për klasën politike dhe të ardhmen e Shqipërisë, duke theksuar se drejtimin e vendit duhet ta marrë rinia shqiptare.
Ajo u shpreh kundër përfshirjes së emrave të politikës së vjetër në këtë protestë, duke përmendur Flamur Nokën, Sali Berishën dhe Edi Ramën.
“Jo flamuri i Flamur Nokës, jo i Sali Berishës dhe as i Edi Ramës”, ishte mesazhi i saj, duke nënvizuar se protesta nuk duhet të identifikohet me asnjë prej figurave politike që kanë dominuar skenën shqiptare.
Sipas qytetares, ndryshe nga brezat e mëparshëm, rinia e sotme është më e vetëdijshme dhe nuk mashtrohet lehtë nga premtimet politike.
“Ne jemi mashtruar, por rinia e sotme nuk mashtrohet. Ata janë shumë të zgjuar”, u shpreh ajo.
Më tej, qytetarja ngriti shqetësimin për emigrimin masiv, duke theksuar se fëmijët e shqiptarëve po rriten në rrugët e botës, larg vendit të tyre, ndërsa Shqipëria po humbet një pjesë të madhe të brezit të ri.
Në përfundim, ajo theksoi se është koha që të rinjtë të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.
“Timoni i takon rinisë shqiptare. Ata duhet ta marrin në dorë drejtimin e vendit”, ishte mesazhi i saj.
Një thirrje që rikthen në vëmendje kërkesën e protestuesve për një ndryshim politik dhe për krijimin e kushteve që të rinjtë të mos e shohin emigrimin si të vetmen mundësi për një të ardhme më të mirë.
