“Sot të jemi të gjithë bashkë!” – Thirrja e përfaqësueses së PD-së merr përgjigjen e papritur nga protestuesit :Kjo parti na solli këtu!”

Një moment debati është regjistruar gjatë protestës, ku një simpatizante e Partisë Demokratike u është drejtuar qytetarëve me thirrjen për bashkim, duke kërkuar që prindërit, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët të dalin së bashku në shesh.

“Prindër, qytetarë, ju bëj thirrje të bashkohemi të gjithë! Sot duhet të jemi bashkë”, ishte apeli i saj për protestuesit.

Përfaqësuesja e PD-së argumentoi se përçarja mes qytetarëve i shërben kryeministrit Edi Rama dhe se, sipas saj, në këtë moment duhet lënë mënjanë çdo ndasi politike.

Por thirrja e saj u pasua nga reagime të menjëhershme të protestuesve, të cilët këmbëngulën se janë të bashkuar, por se protesta nuk është në mbështetje të asnjë partie politike.

“Ne jemi bashkë”, ishte përgjigjja e tyre, duke theksuar se demokratët si qytetarë janë të mirëpritur, por jo Berisha dhe deputetët e tij, pasi pakënaqësia e tyre lidhet edhe me opozitën.

Një prej protestuesve reagoi ashpër, duke deklaruar: “Kjo parti e ka sjellë popullin këtu!”

Debati nxori në pah një nga mesazhet që po përcillet nga një pjesë e protestuesve: kërkesa për ndryshim nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, ndërsa qytetarët kërkojnë që protesta të mos përvetësohet nga asnjë forcë politike.

Pavarësisht thirrjeve për bashkim, një pjesë e protestuesve këmbëngulin se bashkimi duhet të bëhet rreth kauzës qytetare dhe jo nën flamurin e partive politike.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.