Moderatorja e emisionit “Goca dhe Gra”, Ori Nebijaj, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e djeshme, duke komentuar situatën aktuale politike në Shqipëri dhe rolin e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
Gjatë prezantimit të një interviste të realizuar nga Ema Andrea me ish-ministrin e Jashtëm dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, Nebijaj u ndal te zhvillimet politike, protestat dhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj klasës politike.
Ajo e përshkroi situatën aktuale me një mesazh të drejtpërdrejtë, duke theksuar se vendi po përballet me një pushtet që ka humbur besimin e qytetarëve dhe një opozitë që, sipas saj, nuk po arrin të përmbushë rolin e saj.
“Një pushtet që nuk ka më besimin e qytetarëve dhe një opozitë që nuk ekziston dhe refuzon të dëgjojë qytetarët ishte ajo çfarë na u përcoll sot”, u shpreh moderatorja.
Më tej, Nebijaj kritikoi edhe qëndrimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke nënvizuar se mungesa e vendimmarrjes dhe refuzimi për të dëgjuar zërat e qytetarëve mund të thellojnë edhe më tej tensionet politike.
Sipas saj, në një moment kur studentët, të rinjtë dhe qytetarët po kërkojnë ndryshim, mbetet e paqartë se cili është fokusi i opozitës dhe në çfarë drejtimi duhet të orientohet reagimi politik.
Deklarata e Ori Nebijajt vjen në një periudhë të tensionuar politike, ku protestat dhe kërkesat për ndryshim kanë rikthyer në vëmendje debatin mbi përgjegjësinë e mazhorancës dhe rolin e opozitës në përfaqësimin e qytetarëve.
