Një udhëtim i jashtëzakonshëm, një ëndërr pa kufij dhe një flamur kuqezi që e shoqëron kudo. Dashnor Balliu, shqiptari që ka marrë përsipër sfidën e madhe për të përshkuar botën i vetëm me motor, vijon aventurën e tij mes vështirësive dhe sfidave të shumta.
Aktualisht, Dashnori ndodhet në Guaraí të Brazilit, ku po përballet me reshje të dendura shiu dhe kushte të vështira atmosferike. Megjithatë, as moti i keq, as lodhja dhe as sakrificat nuk e kanë ndalur të vazhdojë drejt realizimit të ëndrrës së tij.
Përmes një mesazhi të ndarë nga rrugëtimi i tij, ai ka përcjellë emocionet dhe përjetimet e kësaj aventure:
“Ka ditë me diell, ka ditë me shi, ka lodhje e sakrifica, por ka edhe një ëndërr që nuk shuhet kurrë. Nuk e di ku do të më çojë rruga nesër, por e di që sot nuk u dorëzova.”
Por mesazhi që ka prekur më shumë zemrat e shqiptarëve është ai që tregon lidhjen e fortë me vendin e tij, pavarësisht mijëra kilometrave larg Shqipërisë.
“Unë udhëtoj i vetëm, por në zemër kam mijëra shqiptarë!”, shprehet Dashnor Balliu.
Me krenarinë shqiptare që e shoqëron në çdo kilometër të këtij udhëtimi, ai po dëshmon se ëndrrat e mëdha kërkojnë guxim, durim dhe këmbëngulje.
Një aventurë që nuk është thjesht një udhëtim me motor, por edhe një histori frymëzuese për të gjithë ata që besojnë se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme kur ke vullnetin për të mos u dorëzuar.
Respekt për Dashnor Balliun, që edhe në anën tjetër të botës, Shqipërinë e mban gjithmonë në zemër! 🇦🇱❤️




