Aksion në Pogradec, prishen ndërtimet pa leje përgjatë lumit të Vërdovës

Ka nisur aksioni për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje përgjatë shtratit të lumit të Vërdovës në Pogradec. Ndërhyrja po kryhet nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të projektit për rehabilitimin e lumit dhe ndërtimin e argjinaturave mbrojtëse.

Sipas të dhënave, objektet e ndërtuara përgjatë lumit kanë ekzistuar prej më shumë se 20 vitesh.

Bëhet fjalë për banesa dhe mure rrethuese, të cilat pengojnë realizimin e projektit dhe ndërhyrjet infrastrukturore të parashikuara.

Në total, parashikohet shembja e tre objekteve të mëdha. Deri më tani është kryer ndërhyrja për prishjen e objektit të parë, pa kundërshtime nga pronarët, të cilët ishin njoftuar paraprakisht për aksionin.

Operacioni pritet të vijojë përgjatë gjithë gjatësisë së lumit, në zonën e Unazës së Pogradecit, me synimin për të liruar hapësirat përgjatë shtratit dhe për t’i hapur rrugë punimeve për rehabilitimin e tij.

Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës mbrojtëse, ndërtimin e argjinaturave dhe krijimin e kushteve më të sigurta për zonën përreth lumit të Vërdovës.

Pas shumë vitesh me ndërtime përgjatë shtratit të lumit, nisja e këtij aksioni shënon një hap të rëndësishëm drejt sistemimit dhe rehabilitimit të një prej zonave që kërkon ndërhyrje infrastrukturore në Pogradec.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.