Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm TPL parashikon zgjerimin e kategorive që përfitojnë dëmshpërblim në rast aksidenti. Risia kryesore është përfshirja në skemën e kompensimit edhe e pasagjerëve që ndodhen në automjetin që shkakton aksidentin.
Sipas ekspertit të tregjeve financiare, Artur Ribaj, ndryshimet synojnë të rrisin mbrojtjen e qytetarëve dhe të zgjerojnë përgjegjësinë për dëmet ndaj personave dhe pronës së palëve të treta.
Megjithatë, zgjerimi i mbulimit mund të sjellë edhe rritje të primit të sigurimit.
Aktualisht, primi mesatar vjetor për një automjet në Shqipëri është rreth 220 euro, ndërsa në të ardhmen mund të afrohet me mesataren prej 400 eurosh në Bashkimin Evropian. Kjo rritje nuk pritet të jetë e menjëhershme, por graduale, në varësi të zbatimit të ligjit.
Projektligji parashikon edhe lehtësimin e procedurave të dëmshpërblimit.
Pragu për procedurën e përshpejtuar do të rritet nga 100 mijë në 250 mijë lekë, ndërsa kufiri për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit nga 30 mijë në 50 mijë lekë.
Ndryshime parashikohen edhe për Byronë Shqiptare të Sigurimit, e cila do të ketë statusin e një entiteti juridik të pavarur dhe rol më të qartë në administrimin e Fondit të Kompensimit. Ajo do të garantojë dëmshpërblimin në rastet kur aksidentet shkaktohen nga automjete të pasiguruara, drejtues që largohen nga vendi i ngjarjes apo kompani sigurimi që falimentojnë.
Me këto ndryshime synohet rritja e mbrojtjes së qytetarëve dhe përshpejtimi i dëmshpërblimeve, ndërsa mbetet për t’u parë ndikimi që zgjerimi i mbulimit do të ketë në çmimin e sigurimit TPL.
