Mjeku Pashaj:”Më 28 Nëntor të gjithë në protestë, kjo lëvizje është për Shqipërinë dhe jo për partitë

Mjeku Ermal Pashaj u bën thirrje forcave politike të bashkohen në mbështetje të protestës qytetare, duke theksuar se ajo duhet të qëndrojë mbi çdo interes partiak. Apel edhe deputetëve dhe shqiptarëve të diasporës për pjesëmarrje në manifestimin e 28 Nëntorit.

Mjeku Ermal Pashaj ka bërë thirrje për një angazhim më të gjerë të të gjitha forcave politike në mbështetje të protestës qytetare, duke theksuar se kjo lëvizje nuk duhet të identifikohet me asnjë parti politike, por të përfaqësojë interesat e të gjithë shqiptarëve.

Në një prononcim për televizionin News 24, Pashaj u shpreh kritik ndaj qeverisjes aktuale, duke e cilësuar Partinë Socialiste si një forcë politike që, sipas tij, është kthyer në totalitare.

Ai nënvizoi se protesta duhet të jetë një kauzë e përbashkët qytetare, ku të gjithë të gjejnë hapësirën e tyre, pavarësisht bindjeve politike.

“Të gjithë polet politike i ftoj të qëndrojnë në polin e protestës, sepse protesta nuk është vokacion për parti, por është vokacion për Shqipëri. Asnjë elektorat nuk është i përjashtuar”, deklaroi Pashaj.

Një tjetër apel i mjekut iu drejtua deputetëve të Kuvendit, të cilët, sipas tij, duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë si përfaqësues të qytetarëve. “Deputetët fushëbetejën nuk e kanë në shesh, por e kanë në Parlament. I ftojmë që të bëjnë më shumë në Parlament. Luftën reale e kanë në Parlament”, u shpreh ai.

Në vijim, Pashaj u ndal edhe te manifestimi i paralajmëruar për 28 Nëntorin, duke ftuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të bëhen pjesë e kësaj proteste paqësore. Sipas tij, pjesëmarrja e diasporës do të ishte një mesazh i fortë qytetar dhe një dëshmi e mbështetjes për kauzën e protestës.

“Më 28 Nëntor do të zbarkojnë në Shqipëri bijtë e shqipes nga çdo anë e botës. Është momenti të tregojnë paqësisht me forcën e numrave se ata janë aty”, deklaroi Pashaj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.