Tirana e drejtuar nga Dean Klafuriç ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e 13-të të Abissnet Superiore, duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 3-2 në një sfidë me pesë gola, ku spektakli u rezervua kryesisht në pjesën e parë. Bardheblutë e nisën ndeshjen furishëm, duke gjunjëzuar mbrojtjen korçare brenda vetëm shtatë minutash.
Lagonidis shënoi autogol në minutën e 27-të, ndërsa vetëm një minutë më pas Daci dyfishoi shifrat.
Tirana goditi sërish në minutën e 34-t, kur Xhixha realizoi golin e tretë, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Por Skënderbeu nuk u dorëzua. Korçarët reaguan menjëherë dhe, me golat e Bragës dhe Musës, arritën të ngushtonin diferencën në 3-2 që në pjesën e parë, duke rikthyer emocionet dhe duke mbajtur të hapur sfidën.
Në fraksionin e dytë, Skënderbeu u shfaq më kërkues dhe me më shumë iniciativë, duke tentuar të shfrytëzonte momentin për të arritur barazimin. Korçarët kërkuan me ngulm golin e tretë dhe ushtruan presion mbi bardheblutë, por nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara.
Një episod i diskutueshëm erdhi në minutën e 53-të, kur pati kontakt në zonën e Tiranës.
Arbitri Erjon Bastari lejoi vazhdimin e lojës, ndërsa sipas vlerësimit të Ahmatajt, Skënderbeut iu mohua një penallti në këtë moment. Pavarësisht përpjekjeve të korçarëve për të dalë të paktën me një pikë nga transferta në “Selman Stërmasi”, rezultati mbeti i pandryshuar.
Tirana mori tri pikë të rëndësishme, por Skënderbeu tregoi karakter, reagoi pas disavantazhit të trefishtë dhe e mbajti ndeshjen të hapur deri në fund. Me këtë fitore, Tirana ngjitet në kuotën e 19 pikëve, në vendin e tretë, ndërsa Skënderbeu mbetet me 17 pikë në pozitën e katërt.
TIRANA 3-2 SKËNDERBEU
27′(ag) Lagonidis, 28′ Daci, 34′ Xhixha – 39′ Braga, 45+2′ Musa
FORMACIONET ZYRTARE
Tirana: Bekaj; Fresneda, Kollej, Vitija, Vera, Hazrollaj, Qerimaj, Mysloviç, Alvarez, Xhixha, Daci
Trajner: Dean Klafuricc
Skënderbeu: Alia; Lagonidis, Doda, Braga, Janaqi, Drame, Musa, Shkëmbi, Zenullari, Shaqe, Nasr
Trajner: Julian Ahmataj
