Korça është fiks nënë e përjetshme. E ndjen përherë gravitetin e saj. Ndaj kthehesh e rikthehesh sikur oqeane të kaplosh

 

Nga Agim Xhafka

Ka disa vite që kur shkoj në Korçë endem si në ëndërr. Nga që nuk njoh askënd në fytyrat që ndesh apo nga që askush nuk më përshëndet a më thërret në emër. Por sërish emocionohem përherë e më shumë. Se më njohin rrugët,kinemaja,ushtari i panjohur,lëndina e lotëve. Kaq dua dhe harroj që banoj në Tiranë e Amerikë. Më duket sikur nuk jam larguar as pesë minuta nga qyteti im.


Dhe ajri korçar më ngjet me parfumet rinore,edhe uji si wiski mbi 30 vjeçar. Dashuria me qytetin është si ai kordoni i fëmijës te mitra e nënës. Që të rrit e të rrit nga qelizë të bën njeri. Por vjen çasti kur ky kordon pritet nga gërshërët e jetës. E ti nis udhëtimin i pavarur,me shqisat e tua,me lëvizjet e tua,me trurin tënd e sjelljet e tua.


Njësoj ndodh me qytetin. Por kordoni me eliksir nuk të pritet kurrë. Je i salduar me të,prej tij furnizohesh me kujtime,mall,nostalgji,dhimbje,dashuri…
Qyteti është fiks nënë e përjetshme. E ndjen përherë gravitetin e saj. Ndaj kthehesh e rikthehesh sikur oqeane të kaplosh. Normal,nëpër vite ndryshon dhe urbanistika e qytetit. Tani qendra nuk është më te teatri,te katedralja,te turizmi. Është krijuar dhe një e dytë ,larg te varrezat. Atje kam shumicën e familjes,shumicën e fqinjëve,shumicën e mbresave të jetës. Ndaj aty e vendos tabelën:”Stacioni i parë i vizitës në Korçë.”
Korça është malli im. S’njoh njerëz,ama më njeh qyteti. Me dhëmbë e dhëmballë. Nuk më harron. Se jam i lidhur me të,me atë kordonin hyjnor…

Advertisement